
Shqipëria po bëhet gati të presë turneun final të Kampionatit Europian U-17 2025, një event dhe organizim madhor që i është besuar për herë të parë FSHF-së dhe që do të zhvillohet nga 19 maji deri më 1 qershor.
Shqipëria, Italia, Franca, Gjermania, Çekia, Portugalia, Belgjika dhe Anglia janë 8 ekipet finaliste që do të zbresin në fushë në katër stadiumet shqiptare: “Arena Kombëtare”, “Niko Dovana”, “Arena Egnatia” dhe “Elbasan Arena”.
Në kuadër të fushatës promovuese për këtë event historik, FSHF organizoi një aktivitet në shkollën “Emin Duraku” në Tiranë, për të njohur nxënësit me rëndësinë që ka ky turne për vendin tonë dhe futbollin shqiptar. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Pano Xhixho si edhe ambasadori i turneut, Klaus Gjasula, të cilët ftuan nxënësit të mbështesin Shqipërinë nga shkallët e stadiumeve.
Pano Xhixho, anëtari i KE-së së FSHF-së tha se prezenca e tifozëve në stadium është shumë e rëndësishme për Kombëtaren shqiptare. “Na duhet shumë prezenca juaj në shkallët e stadiumit sepse për herë të parë Shqipëria merr pjesë në një kampionat europian. Do ta ketë shumë të vështirë po jam i bindur që me prezencën tuaj dhe me prezencën e të gjithëve ne, do ta kemi më të thjeshtë” – tha Xhixho përpara nxënësve.
Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Klaus Gjasula tha se ky kampionat është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. “Ju e dini sa i rëndësishëm është ky kampionat për ne. Do të mbështesim çunat tanë, që t’i tregojmë botës se kush jemi ne shqiptarët, talentin, krenarinë dhe fuqinë tonë. T’i tregojmë botës që ne do të mbështesim njëri-tjetrin. Duhet të punojmë bashkë, të kemi besim dhe uroj të vini të gjithë në stadium” tha Klaus Gjasula.
FSHF do të vijojë me aktivitete të tjera promovuese dhe informuese në shkolla të tjera të katër qyteteve pritëse, Tiranë, Rrogozhinë, Durrës e Elbasan.