
Mirel Josa aktualisht drejton skuadrën e Prishtinës në Kosovë. Në një lidhje telefonike që ka patur për emisionin "Zona Gola", tekniku ka komentuar kampionatin kosovar dhe atë shqiptar, ku pranon se në Kosovë punohet më mirë për shkak të kushteve dhe qetësisë që të ofrohet.
"Në fakt, nëse ka një gjë që mund ta vlerësoj në Kosovë dhe që nuk e kemi ne në Shqipëri, është se këtu punohet shumë qetë. Ka shumë optimizëm në ambientet e skuadrave dhe për më tepër nuk të ngarkojnë me objektiva e përgjegjësi të parakohshme. Më pëlqen kur gjërat merren me radhë dhe mendon me qetësi edhe për synimet që kërkon të arrish. Është një eksperiencë mjaft e mirë, të cilën e vlerësoj shumë dhe jam i kënaqur që jam këtu. Normalisht që futbolli i Kosovës ka problemet e veta, por gjithsesi zhvillohet një kampionat shumë interesant. Në fakt kemi punuar shumë që në fillim, me synimin e vetëm të fitojmë titullin kampion. Unë kam fatin se në Prishtinë punohet në kushte mjaft të mira, ndërsa në fazën përgatitore të dimrit, arritëm të realizojmë gjëra mjaft të bukura. Gjithsesi them se jemi penalizuar disi, pasi infrastruktura në Kosovë është problematike dhe në shumë fusha, terreni nuk na ka lejuar të shprehim më të mirën tonë", është shprehur Josa në bisedën telefonike zhvilluar për "Zona Gol".
Skuadra e drejtuar nga Josa luan për titullin kampion ndaj Dritës, si dhe është kualifikuar në finalen e Kupës së Kosovës ndaj Vëllaznimit. Në këto kushte, Josa do të duhet të përfundojë objektivat e këtij sezoni për të folur më pas për të ardhmen e tij.
" Kontrata ime me klubin e Prishtinës përfundon pas finales së Kupës dhe më pas do të analizojmë gjithçka, Do të ulem me administratën e klubit dhe do të diskutojmë. Nëse unë jam i kënaqur me atë që më ofrohet dhe ata kanë vlerësim për punën time, atëherë pse mos të vijojmë ende bashkëpunimin", ka mbyllur Josa prononcimin e tij.