
Derbi i Milanos, Milan-Inter i parashikuar të luhet më 21 prill me shumë gjasa do të shtyhet. Kjo gjë pritet të ndodhë për shkak se me datë 18 prill, Milani do të luajë çerekfinalen e dytë përballë Romës në “Olimpico”.
Për këtë arsye, me shumë mundësi “Derby della Madonnina” do të shtyhet me një ditë. Pra mos të zhvillohet të dielën e 21 prillit, por të hënën e 22 prillit. Kjo ndodh për shkak se e diela është shumë afër që kuqezinjtë të zhvillojnë dy sfida brenda një hapësire kohor kaq të shkurtër.
Seria A pritet që të bëjë dhe komunikimin zyrtar të kësaj zhvendosje të ndeshjes që do të luhet në kuadër të javës së 33-të të kampionatit italian.
Kujtojmë që nga kjo ndeshje Milani kërkon fitoren për të “blinduar” vendin e dytë, aty ku ndodhen në kuotën e 62 pikëve. Në krahun tjetër, Interi ka “zaptuar” kreun e renditjes, i shkëputur me plot 15 pikë nga “kushërinjtë” e qytetit.