Mbrëmjen e djeshme rrugët e Athinës janë përgjakur nga përplasjet mes huliganëve kroatë dhe atyre grekë. AEK dhe Dinamo Zagrem do të sfidoheshin mbrëmjen e sotme në kuadër të turit të tretë të Champions League.
Por pasi skuadrat kanë mbyllur stërvitjen në stadiumin “OPAP Arena”, menjëherë mes tifozëve ka nisur një përplasje e madhe. Nga kjo përleshje ka ndërruar jetë një 29-vjeçar, tifoz i AEK, i cili u godit me thikë.
Gjithashtu të plagosur kanë mbetur 8 persona, teksa një 17-vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërsa Policia ka mundur të arrestojë 98 tifozë të tjerë. Mes tyre janë 87 kroatë, një shqiptar, një austriak, një boshnjak, një gjerman dhe pesë grekë.
Sipas mediave greke bëhet me dije se tifozët kroatë kanë udhëtuar të organizuar në Athinë, pavarëisisht vendimit të UEFA-s për ndalimin e tyre.
“Rreth orës 22:00 e kisha lokalin gjysmë plot. Dikush erdhi dhe më paralajmëroi. Një tifoz i AEK erdhi dhe më tha se po vinin kroatët. Më tha që të largoja njerëzit. Pas 10 minutash nisën që të ndiznin zjarre. Rreth 200-300 vetë filluan të thyenin çdo gjë. Rrugës poshtë, lokalet u boshatisën, nisën të hidhnin karriget dhe u përplasën me 20-30 fansa të AEK-ut”, ka theksuar një grek që ishte dëshmitar i ngjarjes.