
Nga Adriatik Riza Dosti
As që do të kish kuptim vizita ime në Shqipëri e veçmas në Tiranë, nëse nuk do të takoja atë, të madhin, legjendën e ikonën e futbollit shqiptar e bardheblu në mënyrë specifike Agustin Kolen.
Ndaj dhe kur miku ynë i mirë Qemol Hidri më telefonoj e më tha se, po më prisnin së bashku me djemtë florinj të familjes Metani, piikërisht atje, te lokali i Gonit, atje ku flitet veçse bardheeblu, por edhe Bianço-nero, atje ku çdo fjalë e fjali e çdo lloj bisede fillon e mbaron me "Tirona Jonë", ndjeva jo pak emocion, por dhe kënaqesi të madhe.
Dhe Agustini të befason vërtet...
Ka sfiduar gjithçka, moshën, vitet, rrudhat, monotoninë e së përditeshmes, por edhe hallet e problemet e shumta të bashkëudhetares jetë, që kurrë nuk e dijmë se si na vjen.
Duke lënë mënjanë thjeshtësine e mirësinë e tij si njeri, sinqeritetin ekstrem në gjithë ate ç' ka thotë, respektin, dashurinë e pasionin për futbollin, si rrallë kush në historinë e futbollit shqiptar. Tini, po qe se fillon e flet për sportin e tij të zemrës, të vë përpara sikur të jetë një buldozer i vertete, sepse i tillë buldozer ka qenë ai edhe në fushë, tek merrte përpara gjithçka që i dilte përpara.
Përqafohemi fort me mallin e dy miqve të mirë, ëe hershëm, të ndershëm e pasionantë futbolli, ku kemi mes nesh aq shumë kujtime sa që, jo 1, por edhe 100 takime të tilla, zor se do të na mjaftonin dot.
Dhe pas pyetjeve normale për veten, familjen e gjithçka tjetër, natyrisht gjuha nis të vejë pikërisht atje ku edhe dhemb dhëmbi, tek Tirona jonë.
Sikur e pickoi Grenxa... Nisi të flasë, të më shpjegojë e argumentoje, ashtu siç di vetëm ai, thjesht e saktë si dhe me fakte e logjikë të pakundërshtueshme, gjithë ç'ka ndodhi me ekipin tonë të zemrës, duke mos nguruar ti verë gishtin secilit mekatar që e çoi legjendën e futbollit shqiptar, krenarinë e tij e tonën bashkë në Kategorine Inferiore, ç' ka as që ish imagjinuar ndonjëherë më pare.
Dhe Tini flet plot nerv e temperament, madje debatojmë aq shume saqë dikush që mund të mos na njohë, [fjala është per atë mori ''tironsish të pas 90-tës që kalojnë aty pari], mendon e thotë me vete "po këta ç' kanë që bertasin e zihen kështu në piskun e kësaj vapë të çmendur".
I shoh me kujdes çdo lëvizje, çdo muskul fytyre, çdo nerv që i ngrihet vrik mbi ballë e në rrylat e fytit, madje ja dalloj qartë brengën e tij të thellë tek edhe sytë i ka të mbushur me lot.
Dhe kur biseda shkon vetiu, tek një ndër njerëzit më të dashur të karrierës së tij sportive, por edhe të vetë jetës së tij, e që tani fatkeqësisht nuk jeton më, Arben Mingën e madh, legjenda e ikona tjetër e bardheebluve, Tini preket jashtë çdo lloj pritshmërie, madje tkurret e bëhet i vogël, psherëtin, mbush sytë me lot dhe ende nuk do ta besojë që ai, Beni ynë i shtrenjtë e i dashur nuk është më mes nesh dhe na mungon kaq shumë të gjithëve.
Tregon gjithçka kish patur mundësi të bënte për ti mbushur mendjen që të mos ikte nga Shqipëria, por, duket se ishte rrugë pa kthim thotë për një çast, e nis të tregojë edhe disa ngjarje e ndodhi personale me të.
Beni mbetet i pa përsëritshëm si njeri e si futbollist, unë ndërhyj e i them, jo, jo, Agustin, ju të dy mbeteni të pa përsëritshëm e unikalë, nderi dhe krenaria jonë dhe e futbollit shqiptar. Ju dhe Tirona jonë e madhe e asaj periudhe që ishte pasuesja më dinjitoze e asaj Tirone legjendare të Lym Allës së viteve 64-72, na i keni mbajtur gjithmonë kokën lart.
Pasi më pyet për të saktësuar edhe disa shifra nga karriera e tij e gjatë dhe brilante futbollistike brenda e jashtë vendit, ku gjurmët e tij janë të thella, arritjet e sukseset personale e kolektive gjithashtu, duke e hipur sa e sa herë në fronin e fituesit të madh, Agustini më nxit të tregoj mes miqsh e shokësh të mirë si dhe mes lezetit që i japin kësaj tavoline vëllezerit Metani, ku Ili e Goni të mysin fare për Tironën, edhe disa kujtime tonat për Tironën e asaj kohe, për atë Tironë që siç thonë vetë tironsit, "të shkelte me komë e nuk të bojte hiç për burr".
Kujtojmë me jo pak nostalgji edhe sa e sa ndeshje të tij me Kombëtaren, por edhe ate ''ditë zie'' të jetës së tij ...kur së bashku me Benin, në të njëjten ditë-natë, e orë e në të njëjtin stadium ku shkruan faqe të shkëlqyera të karrires së tyre ekselente, e mes mijëra e mijëra fanseve të tyre, të Tironës e të kuqezinjve, i thanë mjaft fushës së blertë e vendosen ti varin kepucët në gozhd.
Dhe me vjen vërtet mirë tek thotë, ate fotografi të asaj nate, Tiku, ku jemi të tre, unë ti edhe Beni e ruaj si një relikë të rrallë të respektit reciprok dhe me duket sikur te tre do të jemi sërisht edhe nesër aty, në fushë, mes kundërshtarësh të radhes.
Unë personalisht, deri më sot ne karrieren timë të gjatë sportive e profesionale, kam arritur të shoh vetëm tre lloje treshesh brilante e shkelqim-plota në historine 100 vjeçare të top-këmbës shqiptare dhe ato janë: Zhega - Bizi -Rragami... Zeri- Ballgjini- Pernaska dhe Minga -Kola - Muca.
Ahhh po qe për një duet të vetëm, do të zgjidhja perjetesisht atë, Minga e Kola.
E po që për një futbollist të vetëm, marrë në tërë kompleksitetin e një futbollisti, me atë lloj sedre, grinte, temperamenti, shpirti gare, ndershmërie profesionale, sakrificë të rrallë, golash spektakolare me kokë e me këmbë, trofeve e sukseseve të arritura, karrierës pa fund, pergatitjes fizike, atletike, tekniko-taktike, marrëdheniesh me klubin, me tifozet e me vetë lekurën e tij të dytë, futbollin... etj etj, atëherë ja ku po e deklaroj hapur e publikisht. Agustin Kolen zor se ma zbret dot njeri nga froni i të qenit mbret i futbollit bardheblu e po kaq edhe atij KuqeZi.
Agustini ishte e mbetet i pa persëritshëm dhe relike e perjeteshme nderi e krenarie e futbollit ton. I pakompromis, si askush tjeter, e shok me askënd në sedren e tij të rrallë sportive.
Respekte pa fund Tini dhe faleminderit për gjithçka të bukur tënden që na dhurove pa doganë per vite e vite me radhë duke na dhënë kënaqësira pa fund fale talentit tend brilant.
Të perqafoj fort!