Ministria e Arsimit dhe Sportit ka hedhur poshtë deklaratën e fundit të sportistes Luiza Gega, e cila pretendon se nuk i janë dhënë shpërblimet e meritura.
MAS thotë se o ka mbështetur dhe mbështet në vazhdimësi sportistët elitarë dhe trajnerët e tyre përmes mbështetjes për federatat dhe përmes shpërblimeve direkte për rezultatet që kanë arritur në gara në arenën ndërkombëtare.
Më tej, në njoftim bën me dije se Luiza Gega, është mbëshetur gjatë dy viteve të fundit me 13 shpërblime për 10 gara ndërkombëtare, bazuar në arritjet e saj, që nga niveli Botëror deri te ai Ballkanik, pesë prej të cilave janë shpërblime për arritjet e vitit 2023.
“Mbështetja e sportistëve elitarë është në qendër të politikave të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve.
MAS i ka mbështetur dhe mbështet në vazhdimësi sportistët elitarë dhe trajnerët e tyre përmes mbështetjes për federatat dhe përmes shpërblimeve direkte për rezultatet që kanë arritur në gara në arenën ndërkombëtare.
Shpërblimet e dhëna bazohen në parashikimet e nenit 27 të Ligjit 79/2017 “Për sportin” i ndryshuar dhe akteve nënligjore që rrjedhin prej tij.
Vetëm për vitin 2023 shpërblimet e sportistëve elitarë kanë rezultuar rreth 55 milionë lekë për 23 sportistë elitarë dhe trajnerët respektive për arritjet në sportet që përfaqësojnë.
Atletja jonë Luiza Gega, është mbëshetur gjatë dy viteve të fundit me 13 shpërblime për 10 gara ndërkombëtare, bazuar në arritjet e saj, që nga niveli Botëror deri te ai Ballkanik, pesë prej të cilave janë shpërblime për arritjet e vitit 2023.
Do të vijojmë edhe gjatë këtij viti, duke qënë dhe një vit olimpik, mbështetjen për sportistët tanë elitarë,”-thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Pak ditë më parë, Luiza bëri një reagim publik në llogarinë e saj dhe shprehej shumë e revoltuar me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, për shkak se këta të fundin nuk i kanë dhënë shpërblim për aktivitetet ku nuk ka patur kontroll.
Ajo thekson se sportistët duhet të jenë të gatshëm sa herë u kërkohet kontrolli, pavarësisht rethanave. Gjithashtu, Gega shton nga institucionet do vetëm atë që i takon.
Shkrimi i plotë i publikuar nga Luiza Gega:
“Sot e nisëm ditën me doping control. Në fakt shumë po shumë ditë të vitit janë të tilla ku që në pikë të mëngjesit je i detyruar të bësh gjak dhe urinë. Kam që në 2023 që jam në këtë sistem dhe më pëlqen fakti sepse vërtetë dua t’u tregoj qëoftë të gjithë sistemeve apo qoftë dhe të rinjve që gjërat e mëdah arrihen dhe duke punuar fort.
Dhe me gjithë respektin nuk ka asnjë sportist në historinë e Shqipërisë të ketë kryer kontrolle aq sa kryej unë brenda gare & jashtë gare. Dhe si për çudi dje marr vesh që ministria e Arsimit dhe Sportit nuk më jep shpërblim për një aktivitet ku nuk paska patur kontroll, ku sportistën nuk e dinë nëse ka apo s’ka kontroll, por detyra jonë është të jemi gati sa herë na kërkojnë për të bërë kontroll.
E di çfarë më vjen keq? Që kam gjithë jetën timë që investoj dhe vetëm dy vitet e fundit me ndryshimet e (VKM) kam arritur të marr diçka, sigurisht me djersën time asgjë po asjgë të falur. Edhe këtu gjithmonë gjejnë formë për të bezdisur.
Aq më tepër që jam në vitin më të rëndësishëm, vitin Olimpik. Por për fat të keq askush nuk e kupton rëndësinë e këtij viti. Unë nga institucionet përkatëse për të më thënë “Bravo”, kam nevojë që të më japin atë që më takon dhe të përpiqen më shumë për sportin. Faleminderit & nuk do ta lë me kaq”.