
Nga Vilma MASHA
Javët e fundit ka qenë mjaft e diskutuar çështja e stadiumit "Selman Stërmasi". Kjo për faktin se klubi tjetër i kryeqytetit, Partizani nuk ka se ku të zhvillojë ndeshjet.
Prishja e "Qemal Stafës" dhe mungesa e një stadiumi për klubin e kuq e ka shtuar problematikën në futboll. Ideja e hedhur në fillim, por tanimë e kërkuar edhe zyrtarisht, është që Partizani të luajë në kryeqytet, pikërisht në "Selman Stërmasi".
Kjo gjë duket se ka krijuar shumë probleme në tifozërinë e Tiranës, pasi ata nuk bien dakord në asnjë mënyre që tifozët e kuq të hyjnë në shtëpinë e tyre. Për të qenë e sinqertë, duke u vënë në pozitat e tifozit e kuptoj, por po të mendojmë pak më gjerë, unë them që Partizani duhet të luajë në kryeqytet. Kjo për shumë arsye, pikësëpari Tirana do të përfitojë të ardhura nga shitja e biletave, një shumë aspak e vogël, për aq kohë sa Partizani të ketë stadiumin e tij, së dyti tifozëve të kuq duhet t'u jepet mundësia të shijojnë në shtëpi ndeshjet e klubit të zemrës.
Nuk arrij të kuptoj gjithë këtë shqetësim ndër tifozë, kur pjesa më e madhe e tyre janë shokë, miq, të afërm, punojnë e jetojnë bashkë. Gjithë këtë urrejtje facebook-iane nuk jam në gjendje ta perceptoj. Për të mirën e të gjithëve, për kënaqësinë që të jep loja më magjike në botë, unë them që të gjithë duhet të kënaqen e të kenë mundësinë të shijojnë emocionin që të jep stadiumi. Përderisa Korabi luaji në stadiumin "Selman Stërmasi", nuk kuptoj pse Partizani mos ta bëjë një gjë të tillë.
Për aq kohë sa u arrit marrëveshja mes palëve, them se duhet të ndodhë e njëjta gjë mes dy klubeve legjendare. Jo vetëm kaq, por në kuadër të qytetarisë e respektit reciprok, për të dhënë një shembull pozitiv, Partizani duhet të luajë në shtëpi, në kryeqytet, e pse jo në shtëpinë e Tiranës.