
Kukësi ka synim titullin kampion dhe kjo është e qartë. Është i vetmi trofe që i mungon presidencës Gjici për periudhën që menaxhon klubin. Ndërsa verilindorët e kanë nisur me vrull merkaton. Afrimi i parë ishte talenti Sindrit Guri, ndërsa prurja e fundit është mesfushori i krahut të djathtë Bedri Greca. Lojtari ishte pjesë e Flamurtarit sezonin e shkuar, ndërsa ka firmosur pak minuta më parë te Kukësi. Këtë gjë e bën të ditur faqja zyrtare e klubit verilindor, e cila poston edhe foton e futbollistit me drejtorin Dritan Dervishi.
Greca në karrierën e tij ka luajtur me Skraparin, Tërbunin dhe sezonin e shkuar me Flamurtarin, ekip me të cilin debutoi në Superiore dhe arriti që të fitonte vëmendjen e të gjithëve, duke u bërë i kërkuar në merkato. Por, ai ka preferuar dhe e ka zgjedhur tashmë Kukësin, ku pritet të jetë pjesë e këtij ekipi për dy vitet e ardhshme. Nesër ai do t’i bashkohet ekipit në fazën përgatitore në Maribor.