
Vllaznia tre javë më parë fitoi në Tiranë duke marrë tre pikët pas rezultatit 1-2. Në dhomat e zhveshjes lojtarët festuan me të drejtë ndërkohë që të hënën në stërvitje u shpërndanë 10 milionë lekë (te vjetra) shpërblim. Një javë më pas Vllaznia barazoi në Kukës duke suprizuar skuadrën e Gjokës që humbte vëndin e parë pas atij barazimi. Një tjetër 10 milionë lekësh u shpërnda për këtë rezultat. Javën e kaluar në Shkodër, kuqeblutë do të ndalnin Partizanin dhe pas ndeshjes, pa pritur që lojtarët të ikin në shtëpi, drejtuesit e klubit shpërndajnë 10 mijë euro të tjera.
Kush është sponsori këtyre parave?! Askush nuk tregon asgjë në Shkodër. Bashkia nuk e ka mundësinë ligjore për të shpërndarë çdo fundjavë miliona në formë premios ndërkohë që buxheti vjetor i skuadrës është i projektuar për të mos u shpërndarë në mënyrë të tillë.
Në Shkodër thonë se kundërshtarët e rivalëve në fushë janë ata që po sponsorizojnë ndërkohë që ka dhe zëra të tjera që flasin për një sponsor nga Tirana që po projekton të ardhmen e afërt në krye të Vllaznisë.