Pas përfundimit të kampionatit, ku Kukësi fitoi titullin e parë në historinë e tij, Albi Alla u largua nga skuadra dhe më pas firmosi në Greqi me AEL Larissa.
Por, transferimi i tij u kundërshtua nga klubi i Kukësit që pretendon se e ka në kontratë qendërmbrojtësin.
Kampionët e Superligës kërkojn rikthimin e tij në ekip, ose 300 mijë euro dëmshpërblim nga klubi grek i Larissa-s.
Por, në këtë vorbull debatesh, tifozët e Kukësit duket se janë të ndarë në mendimin e tyre për një rikthim të Albi Allës në skuadër.
Në faqen e Facebook-ut 'Tifozat Kuksian' është postuar sot një sondazh i hapur për të parë mendimet e tifozëve verilindorë mbi çështjen 'Alla'.
Shumica janë kundër rikthimit të tij, duke u shprehur se qendërmbrojtësi tradhtoi skuadrën, ndërsa mendojnë se edhe nëse do të rikthehet, ai duhet të shkojë të luajë me Kukësin B, ose të qëndrojë në stol.
Por, ka edhe nga ata tifozë që me gjakftohtësi mendojnë se Albi Alla duhet rikthyer në ekip dhe se ka vend për një futbollist me kualitetet e tij, përtej faktit se ai u largua dhe firmosi me AEL Larissa-n.

