
Redi Jupi, ish-trajneri i Shpresave së fundmi, në rolin e analistit në emisionin “Procesi Sportiv” në “Top Channel”, foli edhe për ndeshjen Kukësi- Laçi, por edhe për gjykimin e dobët të bërë nga Kridens Meta.
Jupi thotë se ishte i surprizuar nga tërheqja dhe stepja e verilindorëve kundër kurbinasve. Ai thotë se Kukësi ka bërë një kampionat dinjitoz.
“Kukësi pati një ndeshje shumë më të vështirë seç pritej. Unë personalisht u surprizova nga kjo stepie e Kukësit, që ishte e ngjashme me atë të Partizanit. Kukësi bëri më tepër sesa Partizani, ishte më afër portës kundërshtare, krijoi raste dhe pati momente që mund të shënonte.
Ajo që më surprizoi më shumë ishte loja e mirë e Laçit, por dhe gjykimi jo i mirë nga arbitri. Mendoj se Laçi është penalizuar nga arbitri në këtë takim. Nuk di ta them me të drejtë apo me të padrejtë, por ishin të paktën dy raste në të cilën një lojtar i Kukësit mund të merrte kartonë të kuq, ishte një penallti për Laçin etj, etj.
Problemi është se në këto pozita ku gjendet Laçi, me nevojën për pikë që kishte, njëkohësisht dhe pozita ku ndodhej Kukësi, me nevojën për pikë që kishte, nuk na duhej një gjykim i tillë. Boll me këtë mungesë besimi që ne kemi me vendosje dhe paravendosje të ndeshjeve, me ndikim të arbitrave në vendosje të rezultateve, me tolerime etj, etj.
Në këtë pikë të kampionatit, ku ne presim që skuadrat të përballen me njëra-tjetrën dhe ta ndajnë aty kampionatin, pa qenë këto influenca anësore, kjo ishte pak e tepërt edhe për fatin e Laçit, por dhe për të mos njollosur një skuadër si Kukësi, që pavarësisht së gjithave ka bërë një kampionat shumë dinjitoz, pasi e tregon fakti se s’ka asnjë humbje", përfundoi Jupi.