
Stefano Pioli ka folur pas kualifikimit në çerekfinale të Champions League. Trajneri i Milanit u shfaq i lumtur për suksesin, megjithatë duket se kërkon të mbajë larg euforinë.
Ai qëndron me këmbë në tokë, teksa është i bindur se sa e vështirë për ta fituar këtë kompeticion. Trajneri i kampionëve të Italisë deklaroi:
"U treguam të aftë, i kishim kërkuar skuadrës që të luante me personalitet. Nuk u dorëzuam kurrë, është një kalim turi i merituar për mënyrën se si kemi luajtur të dy ndeshjet. Duhet të bëjmë hapat me radhë, ishte e rëndësishme të kalonim grupin, pastaj fazën e parë me eliminim direkt, ndërsa tani presim shortin. Është e qartë që do të kemi përballë një skuadër të madhe, por një skuadër e madhe ishte edhe Totenhemi. Tani me mendjen te kampionati, ishte një ndeshje të cilin kishim qejf ta bënim mirë. Të ëndërrosh është e bukur, të ndihmon të punosh më mirë.
Ndryshimi i modulit? E mora këtë vendim pas humbjes së fundit me Sasuolon, dukej sikur nga sistemi i vjetër i lojës funksiononin pak gjëra. Tani ndryshoi sjellja, skuadra punon me më shumë vëmendje dhe pjesëmarrje. Kemi tre mbrojtës qendre që janë të përshtatshëm për të luajtur kështu, ishte momenti i duhur për të ndryshuar. Por nuk kemi ndryshuar konceptet tona, disa pozicione na kanë dhënë më shumë qëndrueshmëri.
Tani në kampionat dua të njëjtën energji, të njëjtin personalitet dhe dëshirën që të luajmë ndeshjet. Kampionati është i vështirë, do të gjejmë përballë skuadra të cilat taktikisht na krijojnë probleme. Të luash në Ligën e Kampioneve është shumë e bukur dhe shumë e rëndësishme për Milanin. Ose e fitojmë, dhe nuk do të jetë e lehtë, ose arrijmë një nga katër vendet e para në kampionat. Është e rëndësishme që nga kjo paraqitje, të marrim edhe mendërisht diçka pozitive për kampionatin”, tha Pioli.