
Teuta deri më tani ka arritur të bëjë shumë mirë në kampionat, ku në 3 javët e para ka marrë 5 pikë, por mbi të gjitha nuk ka pësuar asnjë gol. Të mendosh që emrat me të cilët janë përballur durrsakët janë Flamurtari, apo Tirana dhe së fundmi kanë fituar ndaj Kamzës në shtëpi.
Të mos pësosh asnjë gol nuk është e thjeshtë, këtë gjë nuk e bëjnë as skuadrat më të forta në botë. Mirëpo "Djemtë e Detit" po arrijnë të bëjnë mjaft mirë. Një meritë shumë e madhe padyshim shkon për portierin Isli Hidi, i cili me pritjet e tij deçizive, nuk e ka lejuar topin të kalojë vijën fatale. Kujtojmë këtu takimin hapës me Flamurtarin, apo me Kamzën në shtëpi, ku ishte gjithmonë i gatshëm për t'i ardhur ekipit në nevojë.
Teuta në takimin e radhës pret Kukësin në "Niko Dovana" dhe të shohim nëse Hidi do kthehet në një "makth" për sulmin e verilindorëve, sidomos për Reginaldon, që në "Loro Boriçi" shënoi 3 gola ndaj Tiranës.