
Elvis Kotorri hedh akuza të drejtpërdrejta mbi drejtuesit e Korabit për faktin që nuk firmosi për sezonin e ri. Ai bën fajtorë të drejtpërdrejtë me këtë çështje trajnerin Artan Mërgjyshi dhe administratorin Fehmi Mziu.
Në një deklaratë të dhënë për "Panorama Sport", elbasanlliu tregon arsyet pse nuk firmosi. "Me mbylljen e sezonit më përfundoi kontrata me Korabin, ndërsa nuk ka asgjë të keqe nëse do të largohesha. Mirëpo, dy drejtuesit e rinj, trajneri Artan Mërgjyshi dhe adminstratori Fehmi Mziu më bënë një ofertë qesharake, saqë të mos e kishin bërë, por do të ishin më mirë të thoshin që je i lirë të vazhdosh diku tjetër", janë këto fjalët e para të portierit elbasanlli.
Më tej ai vijon të akuzojë më rëndë, duke thënë: "Askush nuk mund të tallet me mua. Të gjithë e dinë se kush janë ata dhe se kush jam unë. Si nga ana njerëzore, ashtu edhe nga ana sportive nuk më vijnë as te maja e thembrës. Ua dhëntë Zoti ashtu siç kanë edhe shpirtin dhe shumë shpejt do ta marrin vesh të gjithë se çfarë po bëjnë dhe do tu çirret maska", shprehet Kotorri.