Elvis Rexhbeçaj është lojtari më i ri i Kosovës. Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë një goditje të bujshme duke bindur mesfushorin e Augsburg në Bundesligën gjermane që të veshë fanellën dardane.
26 vjeçari pritet të jetë një vlerë e shtuar për përfaqësuesen e Kosovës. Rexhebeçaj mund të luajë në rolin e mesfushorit difensiv, qendror dhe fantazistit, duke rritur ndjeshëm kualitetin në ekipin e drejtuar nga Franco Foda.
“Sot i thashë ‘po’ Kosovës. Falënderoj në radhë të parë familjen time për përkrahjen e vazhdueshme, falënderoj Agim Ademin si dhe Fekmi Kongjelin dhe gjithë FFK-në që për shumë vite më kanë qëndruar në kontakt me mua. Pres me padurim të bashkohem me shokët e Kombëtares dhe t’i realizojmë ëndrrat tona.
Unë deri më tani kisha pengesa ligjore për shkak të pasaportës së Kosovës. Tani me ligjin e ri që erdhi për lejimin e dy pasaportave vendosa me zemër t’i bashkohem Kosovës. Forca Dardanët!”, ishin fjalët e thëna nga mesfushori më i ri i Kosovës, Elvis Rexhbeçaj.