
Mbrëmjen e djeshme, Kosova u mposht në transfertë përballë Zvicrës me shifrat e thella 4-0. Në përfundim të këtij dueli për mediat ka folur edhe kapiteni i “Dardanëve”, Amir Rrahmani.
“Realisht, Zvicra i shfrytëzoi rastet që i pati pas gabimeve tona. Të gjitha rastet ndodhën në pjesën e parë. Që nga minuta e parë nuk arritëm ta fitonim topin e dytë, gjithmonë e fitonin ata.
Prej aty nisnin aksionet e tyre, dhe ne u tërhoqëm shumë prapa. Nuk ishim të kujdesshëm. Të gjitha rastet ishin pothuajse të njëjta, topi i dytë i humbur.
Dëmtimi im? Do të bëjmë rezonancën për të parë se çfarë është. Duhet ta harrojmë sa më shpejt këtë ndeshje, t’i marrim nga ajo vetëm gabimet që kemi bërë dhe t’i përmirësojmë, duke u përgatitur për ndeshjen kundër Suedisë”, ishin fjalët e mbrojtësit të Napolit.