
Përfaqësuesja e Kosovës e Femrave luajti sot një ndeshje miqësore që shënon fundin e grumbullimit prej 4 ditësh të muajit tetor. Miqësorja u krye ndaj grupmoshës së vajzave U-19 dhe shërbeu për të dy trajnerët e të dyja palëve.
Si Sermaxhaj dhe Rrahmani testuan shumë lojtare dhe panë nivelin e ekipeve për ndeshjet e ardhshme. Ish-trajneri i Ballkanit e ka të qartë tablonë e Kombëtares që drejton, tashmë. Ndërsa, Albina Rrahmani pa gjendjen fizike të grupit dhe tani mendon për sfidat kundër Greqisë, Danimarkës dhe Gjermanisë për kualifikueset e përfaqësueses U-19 në muajin nëntor.
Përfaqësuesja A e Kosovës është një nivel më lartë se të rejat e U-19 dhe këtë e dëshmoi me fitoren tenistike 5-0. Vajzat e vogla nxorën mësimë nga një kundërshtar më i vështirë dhe do të tentojnë ndonjë pikë kundër të rejave të Gjermanisë në sfidën e parë kualifikuese. Pas ndeshjes të dy trajnerët respektivë dhanë mendimin e tyre për këtë testim përgatitor.
“Përmes seancave stërvitore trajneri sheh shumë gjëra por kryesoret i sheh përmes lojës, prandaj e bëmë një ndeshje testuese me U19 për të parë edhe se cilat janë futbolliste perspektive dhe mendoj se shumë shpejt disa do të jenë te A-ja, sepse ka prej tyre që e kanë zhvillimin e mjaftueshëm për me qenë konkurrente te A-ja, prandaj në këtë kontekst besoj se kjo ndeshje ia ka vlejtur. Në disa pozicione kemi nevojë për lojtare të reja, prandaj besoj se pas kualifikimeve në Gjermani, disa nga to do të ftohen në Kombëtaren A”, u shpreh z.Sermaxhaj.
“Një test shumë i mirë për komplet ekipin tonë. Kemi parë shumë gjëra të mira dhe të gjitha ato të cilat i kemi stërvitur dhe i kemi kërkuar nga vajzat ato kanë tentuar t’i implementojnë në lojë dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Besoj se tani kemi një pasqyrë të mirë për ndeshjet kualifikuese të nëntorit”, u shpreh znj.Rrahmani.