Java e fundit në Superliga e Kosovës solli emocione të mëdha si në garën për titull, ashtu edhe në luftën për mbijetesë. Kampionati u mbyll me surpriza dhe rezultate që ndryshuan renditjen përfundimtare.
Kampionia Drita e mbylli sezonin me humbjen 3-2 me Malishevën, që për herë të parë në historinë e klubit arrin ta mbyllë kampionatin si nënkampione.
Dukagjini arriti të mposhtë Ballkanin me rezultatin 1-0, me golin e vetëm të takimit që u shënua nga Mërgim Peçqeli. Ballkani që ishte ndër pretendentët gjatë pjesës më të madhe të kampionatit e mbylli në vendin e tretë.
Gjilani mposhti Prishtinën e Re me rezultatin 3-2, me skuadrën kryeqytetase që e mbyll sezonin në fund të tabelës.
Drenica mori tri pikë shumë të rëndësishme për mbijetesë në “Fadil Vokrri”, duke e mposhtur Prishtinën me rezultat 2-1. Llapi, edhe pse fitoi ndaj Ferizajt me rezultat 3-2, do të luajë në play-off me Dinamo Ferizaj për të siguruar qëndrimin në elitën e futbollit Kosovar.
