
Basketbolli mbetet një nga sportet që ka mbartur mjaft ikona në Shqipëri. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta vlerësoi sot kontributin e dhënë nga dy basketbollistë: Luan Shatku dhe Agim Lahi. Lahit iu dha titulli ''Mjeshtër i madh'', ndërsa Shatku (Pas vdekjes) si ''Kalorës i Urdhrit të Flamurit''.
Luan Shatku ka qënë një nga më të mirët te Vllaznia, Partizani, po ashtu edhe te ekipi Kombëtar. Ai është ndarë nga jeta në korrik të vitit 1987 pas një sëmundje të rëndë. Sa i përket Lahit, vlen të përmendet përformanca te 17 nëntori.
''I lumtur të vlerësoj dy personalitete sportive të cilët me punën e tyre kanë ngritur lart jo vetëm vlerat e basketbollit, por edhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në shoqërinë tonë si modele të qytetarisë. Është kënaqësi e veçantë të nderoj me titullin 'Kalorës i Urdhrit të Flamurit' Luan Shatkun, basketbollistin dhe intelektualin e shquar, një nga kampionët e njohur të basketbollit shqiptar. Luan Shatku do të mbahet mend si një sportist i madh, si një njeri i thjeshtë dhe si një vlerë e skalitur në memorjen historike të sportit shqiptar, shumë i dashur jo vetëm nga familja e madhe e basketbollit, por dhe të gjithë shkodranët dhe shqiptarët, që e kanë njohur kudo.
Po kështu kam kënaqësinë të nderoj me titullin 'Mjeshtër i Madh' zotin Agim Lahin, një tjetër basketbollist i madh, një njeri i respektuar dhe një personalitet i spikatur i sportit tonë. Agim Lahi është cilësuar nga të gjithë si basketbollisht dhe qytetar karizmatik i asaj kohe, lojtar i formacioneve kryesore i skuadrave më të mira si '17 Nëntori', 'Vllaznia', 'Partizani', 'Studenti' dhe ekipi kombëtar, duke përfaqësuar basketbollin tonë në shumë gara të rëndësishme ndërkombëtare ballkanike dhe evropiane" - pohoi Meta.