
Klasikja e basketbollit Vllaznia - Tirana është luajtur pasditen e sotme në Pallatin e Sportit në Shkodër, ku i pranishëm ishte dhe Presidenti Ilir Meta.
Presidenti Meta është surprizuar nga tifozët e shumtë që ishin të pranishëm në ndeshjen e sotme. Pak para fillimit Meta ka zbritur vetë në parketin e Pallatit të Sportit "Qazim Dervishi" në Shkodër ku ka takuar trajnerët dhe lojtarët e dy ekipeve, si dhe i ka dhuruar një buqet me lule ish basketbollistit të njohur shkodran Bledar Gjecaj i cili festonte ditëlindjen e 50-të. Ndërkohë që Presidenti Meta, ndodhej në parketin e sallës së sportit, tifozët shkodran kanë shpërthyer në brohorima dhe thirrje "Rama ik".
Nuk dihet nëse të gjithë tifozët kishin ardhur për të mbështetur dy ekipet, Vllazninë dhe Tiranën, ndërkohë bashkë me Metën në ulëset e sallës ishte dhe kryebashkiakja në detyrë e Shkodrës, Voltana Ademi.