
Vedat Muriqi është një nga lojtarët shqiptar më të kërkuar në merkato. Sulmuesi është pjesë e Fenerbaçes dhe këtë sezon ka shkëlqyer me golat dhe asistet e tij. Ofertat për lojtarin kanë qenë të shumta, si nga Premier League, por edhe nga Serie A. Në një prononcim për mediat turke, Muriqi është shprehur se nuk e mendon largimin nga Fenerbaçe.
“Emri im lidhet me një skuadër çdo ditë. Ofertat që vijnë më bëjnë të lumtur. Sidoqoftë, një transferim nuk është në planet e mia.
Rezultatet në Superligë janë zhgënjimi ynë më i madh. Ne duam ta fitojmë Kupën e Turqisë. Mendoj vetëm për këtë. Nuk i kam shërbyer kësaj skuadre aq shumë sa dua ende”, tha Muriqi. Një deklaratë më shumë profesioniste sesa e vërtetë, pasi duke parë ofertat, zor se klubi dhe lojtari do të refuzojnë.