Me përfundimin e ndeshjeve kombëtare, futbolli shqiptar pritet të rikthehet drejt normalitetit për pjesën e mbetur të kampionatit.
Ashtu sikurse në Abissnet Superiore, gara për kreun mbetet e fortë dhe e hapur, e njëjta gjë po ndodh dhe në Kategorinë e Parë, aty ku Pogradeci po shfaq një nuhatje të jashtëzakonshme për pikë duke u kthyer në një skuadër të frikshme në 7 javët e fundit, në të cilat kanë marrë vetëm fitore.
Liqenorët e drejtuar nga trajneri Emiljano Çela kanë vazhduar me ritmin e përgatitjeve, pasi fundjavën e ardhshme do të gjejnë Kastriotin në shtëpi më 4 prill në stadiumin “Pogradeci”.
Hapat fals nuk mund të tolerohen në këtë pikë kulminante, ku distanca me Laçin dhe Skënderbeun e vendit të parë janë lehtësisht të kapërdishme, ndaj dhe tek Pogradeci janë të bindur se rikthimi në Superiore nuk do të vijë nga play-offi, por nga një prej vendeve të para të renditjes.
Golat janë një tjetër aspekt që dallon te skuadra liqenore, pasi pogradecarët kanë sulmin më produktiv me 52 gola në 28 javë. Kjo u pa dhe në sfidën e fundit që kjo skuadër luajti me Burrelin duke fituar pastër 3-0.
