
Tomori do të luajë këtë fundjavë, ndeshjen e fundit të sezonit, atë kundër Pogradecit në transfertë.
Një përballje që nuk do të vendosë shumë për sa i përket objektivave të skuadrës beratase, pasi renditja mes 5 ekipeve të para të Grupit B në Kategorinë e Parë ka bërë që synimet për këtë sezon të jenë të përmbushura.
Por, trajneri i emëruar tri javë më parë në krye të stolit të Tomorit, Iken Droboniku pranon se ndeshja ndaj Pogradecit ka marrë vlerësimin maksimal nga ai dhe futbollistët që drejton.
Droboniku mori drejtimin e skuadrës pas largimit të ish-trajnerit të Tomorit, Gentjan Stojku dhe ka arritur të marrë dy fitore në katër ndeshje në Kategorinë e Parë.
Suksesi i fundit kundër Shkumbinit me rezultatin e thellë 4-2 ka sjellë sigurisht optimizëm në kampin beratas, pasi ekipi duket se në drejtimin e trajnerit Iken Droboniku, tashmë ka fituar besimin në vetvete dhe është çliruar psikologjikisht.
"Pas largimit të trajnerit Stojku, ekipi m'u besua mua nga ana e drejtuesve të klubit.
Edhe pse objektivi ishte arritur, në skuadër kishte konfikt trajner-lojtarë, përpara se unë të emërohesha si trajner i Tomorit.
Gjithesi, u mundova që të ruaja përqendrimin dhe të krijoja frymë bashkëpunuese në skuadër.
Për sa i përket paraqitjeve të ekipit në ndeshjet që unë kam drejtuar duket qartë që ka ngritje si në lojë po ashtu edhe nga ana fizike.
Fitorja 4-2 ndaj Shkumbinit mendoj se ishte ndeshja ku ekipi arriti të pergjigjej më së miri dhe të arrinte në nivelin që unë kërkoja gjatë këtyre javëve.
Brenda skuadrës ka shumë futbollistë cilësorë, me të cilët është një kënaqësi e veçantë të punoj.
Puna ime është bërë shumë e thjesht në këtë skuadër, pasi në përbërje ka lojtarë cilësorë që ta bëjnë punen më të lehtë.
Tani do të përqendrohemi për ndeshjen e fundit kundër Pogradecit, për ta mbyllur këtë sezon me një rezultat pozitiv.
Për sa i përket të ardhmes sime në krye të stolit të Tomorit, ende nuk kemi folur me drejtuesit, sepse është akoma shpejt për të vendosur. Kur të përfundojë sezoni do flasim me drejtuesit, por kuptohet që dëshira ime është të vijoj të punoj me këtë ekip, pasi mendoj se sezonin tjetër mund të arrijmë rezultate edhe më të mira se këtë vit.
Do jem i gatshëm për çfarëdo lloj pozicioni që do të më ofrohet nga stafi drejtues i Tomorit", përfundon prononcimin e tij për newsport.al, trajneri i skuadrës beratase, Iken Droboniku.