
Edhe pse nuk e arriti Superioren këtë sezon, ekipi krutan do të tentojë sërish vitin e ardhshëm që të gjejë mundësitë për kthimin në elitë. Pas dy vitesh në Kategorinë e Parë, ekipi krutan donte që të rikthehej në Superiore këtë sezon, por hapat fals të bërë ndaj skuadrës së Korabit bënë që të humbnin terren dhe në fund të mos ishin triumfuesit. Por, kjo situatë nuk do të marrë tatëpjetën, drejtuesit e Kastriotit do të tentojnë sërish në sezonin e ri që të rikthehen në elitë.
Burime pranë klubit kuqezi bëjnë me dije se investimet do të vijojnë, ndërsa nuk do të preket 70% e grupit që mbylli këtë sezon. Pra, blerjet do të jenë të limituara, ndërsa do të largohen ata që nuk kanë gjetur hapësira aktivizimi dhe do të zëvendësohen nga futbollistë me potencial. Pas një mbledhjeje që do të zhvillohet në ditët e ardhshme do të vendosen piketat për sezonin e ri futbollistik.