
Shqipëria dhe Islanda barazuan dje 1-1 në Air Albania, për sfidën e fundit në Nations League. Pas ndeshjes foli edhe trajneri mik Arnar Vidarson.
Tekniku tha se i kuqi në fillim të ndeshjes nuk ishte dhe se barazimi në sekondat e fundit të lojës për ekipin e tij ishte si fitore, duke treguar edhe për planin “B”.
“Ndeshja ngjan si fitore për ne, sepse skuadra luftoi gjatë gjithë kohës dhe nuk u dorëzua për asnjë çast. Vazhdoi të besonte në mundësinë që ekzistonte. Ne e dinim se do të kishim një shans dhe kështu rezultoi. Kishim edhe këmbë të freskëta në stol, gjë që e shfrytëzuam.
Përsa i përket kartonit të kuq, futbollisti jonë kishte në zotërim topin, ndërsa lojtari shqiptar i doli përpara. Arbitri nuk duhet ta kishte dhënë atë karton të kuq, por ja që ndodhi, në kishim gati planin “B” dhe djemtë e realizuan në mënyrë perfekte.
Ajo që mendoj se është më e rëndësishmja në netë si kjo është se morëm konfirmimin se skuadra bind. Gjëja pozitive është se djemtë janë të uritur dhe të gjithë duan të luajnë për ekipin kombëtar islandez dhe të punojnë. Duhet të zgjedhim ekipin tonë më të fortë për të pasur një shans të mirë në të ardhme”, tha Arnar Vidarson mes të tjerash.