Partizani sfidon motin e keq që ka përfshirë qytetin e Antalyas në Turqi duke zbritur rregullisht në fushën stërvitore edhe këtë të Martë, për të zhvilluar seancën e radhës.
Të mërkurën në orën 18, Të Kuqtë do të zhvillojnë miqësoren e luksit ndaj gjigandëve turqë të Fenerbahces. Për tu përgatitur sa më mirë për duelin ndaj skuadrës nga Stambolli, Partizani sfidoi shiun e dendur duke nisur gjithcka me disa ushtrime aerobike, ndërsa më pas trajneri Sulejman Starova dhe stafi i tij e ndanë skuadrën në dy grupe duke zhvilluar një ndeshje brenda e familjes por duke punuar edhe me anën tekniko-taktike.
Ndaj Fenerbahces do të zbresë në fushë formacioni më i mirë i mundshëm dhe përgjithësisht futbollistët që janë aktivizuar titullarë në pjesën më më të madhe të kampionatit. Në pjesën e dytë mund të ketë hapësira edhe për afrimet e merkatos së dimrit, sulmuesit Xhevahir Sukaj dhe
Mathew Boniface si dhe mbrojtësin Kristi Marku. Një nga lojtarët më të rëndësishëm të Partizanit portieri dhe kapiteni Alban Hoxha në një prononcim për mikrofonin e Supersport nga Antalya u shfaq i kënaqur me përgatitjet e deritanishme.
”Sic e shifni dhe vetë moti është pak i ashpër megjithatë nuk është se e kemi shumë problem pasi jemi mësuar, ka harmoni në skuadër dhe kjo është dicka pozitive. Po përgatitemi fortë për Fenerbahcen pasi është një sfidë luksi”, deklaron kapiteni i Partizanit për Supersport.
Ndeshja ndaj Fenerbahces nuk mund të konsiderohet thjeshtë si një takim miqësor sepse bëhet fjalë për një emër të madh të futbollit europian. Sipas Alban Hoxhës të gjithë futbollistët e Partizanit do të përpiqen të tregojnë të gjitha aftësitë e tyre në këtë sfidë, pasi ky takim do të ndiqet edhe nga një numër i madh menaxherësh.
” Është një ndeshje miqësore por është një sfidë e rëndësishme sepse bëhet fjalë për një kundërshtar të madh si Fenerbahce, ne do të bëjmë maksimumin për të bërë një paraqitje pozitive në atë sfidë. Do të ketë shumë menaxherë në atë sfidë dhe të gjithë lojtarët do të përpiqen të tregojnë veten”.
Objektivi kryesor i Partizanit në këtë sezon është titulli kampion. Hoxha është i bindur se Të Kuqtë i kanë të gjitha mundësitë për ta arritur këtë objektiv, ndërkohë që kapiteni shkëputi një mendim edhe për blerjet e reja.
“Po përgatitemi mirë pasi duam të kthehemi në Shqipëri sa më të fortë, kemi objektiv titullin kampion dhe duam që këtu në Antalya, të përgatitemi maksimalisht për rifillimin e kampionatit. Edhe rivalët tanë po punojmë fortë ashtu si ne dhe nuk do të jetë e lehtë. Për afrimet e reja është herët për të folur por bëhet fjalë për lojtarë cilësorë që mund ta ndihmojnë akoma edhe më shumë skuadrën tonë”, përfundoi Alban Hoxha intervistën për Supersport.