Është mbyllur me sukses edicioni i parë i Kampionatit 5×5 Masters, një nismë unike në Shqipëri që solli në fokus rëndësinë e aktivitetit fizik, bashkëpunimit institucional dhe promovimit të një stili jetese të shëndetshëm.
I organizuar nga Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër në bashkëpunim me Shoqatën “Pro Sport”, ky kampionat bëri bashkë tetë ekipe përfaqësuese të institucioneve kryesore të qytetit: Bashkia Shkodër, Universiteti “Luigj Gurakuqi”, OSHEE Shkodër, Drejtoria Rajonale e Tatimeve Shkodër, Media Shkodër, Veteranët e Vllaznisë, Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër dhe Spitali Rajonal Shkodër.
Përgjatë 6 muajve, aktiviteti u zhvillua në një frymë të shkëlqyer sportive dhe bashkëpunimi, duke përfshirë dy faza konkurrimi dhe duke kulmuar me ndeshjet play-off dhe finalen. Në përballjen për titull, Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër arriti të triumfojë ndaj ekipit të Veteranëve të Vllaznisë me rezultatin 5-3, duke u shpallur kampione e edicionit të parë.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua në një atmosferë festive, ku trofeu dhe medaljet u dorëzuan nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Armando Cungu. Gjithashtu, u vlerësuan golashënuesit më të mirë të kampionatit, Marjo Bregu dhe Denis Zmijanej, si dhe u shpreh mirënjohje për të gjitha ekipet pjesëmarrëse për kontributin dhe angazhimin e tyre.
Kampionati 5×5 Masters arriti të mobilizojë rreth 100 pjesëmarrës mbi moshën 40 vjeç, duke dëshmuar se sporti mbetet një urë e rëndësishme lidhëse mes komunitetit, institucioneve dhe brezave. Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm drejt nxitjes së përfshirjes aktive në sport dhe forcimit të rolit të tij në jetën sociale.
