
Armando Broja ka folur për minutat që po merr gradualisht te Chelsea. Sulmuesi i kombëtares shqiptare është shprehur i lumtur që tashmë dëmtimin e ka lënë pas dhe është gati të japë kontributin e tij për Blutë e Londrës.
Në një intervistë të dhënë për “Secret Scout”, shtatlarti i fazës ofensive të Chelsea-it ka thënë:
“Shumë lojtarë do të zhgënjeheshin nga mungesa e minutave, por për mua, e di që jam rikthyer nga një dëmtim i madh. Më duhet të tregoj dhe të provoj veten përsëri te menaxheri, stafi, klubi dhe tifozët. Jam i bekuar që jam në pozicionin ku jam”, përfundoi sulmuesi shqiptar.
Kujtojmë që Broja mori një dëmtim të ligamentit ACL sezonin e kaluar dhe e mbajti atë jashtë fushës deri në shtator. 22-vjeçari ka bërë gjashtë paraqitje për Chelsean, duke luajtur vetëm 145 minuta në total.