
Izmir Smajlaj i rikthehet pistës së vrapimit. Është vetë atleti i njohur që përmes një postimi në rrjetet sociale bën me dije se ka fituar betejën ligjore me AIU duke u shpallur i pafajshëm për mashtrimin e pretenduar në një garë të zhvilluar.
Shkodrani tregon atë që ka ndodhur dhe në fund falënderon të gjithë ata që kontribuan në zbardhjen e së vërtetës. Në facebook-un, Smajlaj shkruante:
“I drejti nuk mposhtet kurrë! I pafajshëm! Falë një beteje të gjatë ligjore me AIU, Sport Resolution (ose Gjykata Sportive Botërore) me seli në Londër, ka shpallur PA-FAJËSINË time kundrej aludimeve për mashtrim ndaj një gare ku isha pjesëmarrës. Isha i bindur që gjyqtarët e huaj do të vlerësonin të vërtetën dhe do kuptonin që çdo gjë që ishte hetuar, ishte e gabuar dhe pa fakte ndaj meje.
Andaj jam tejet i lumtur dhe me anë të këtij postimi ju komunikoj edhe rikthimin tim në pistë. Falenderime e mirënjohje për ata që besuan te unë që në fillim, për punën e përkryer të avokatëve mbrojtës, z. Ermir Beta dhe znj. Romina Zano, përkthyeses zyrtare, znj. Etleva Pushi si dhe familjes sime që duroj e përjetoi një stres të panevojshëm”.