
Sulmuesi i Kukësit, i cili sezonin e shkuar pothuajse e zëvendësoi mungesën e Pero Pejiç, para ndeshjes kundër Laçit flet me bindje të plotë për takimin e radhës, atë kundër Laçit, teksa diskuton objektivat sezonalë. "I dimë objektivat që kemi, por nuk kemi arritur ende në pikën që pritet. Nuk kemi marrë atë që kemi menduar dhe atë që kemi dashur. Jemi ndalur në dy transferta, gjë që nuk është mirë për ne. Nga ne presin shumë, por jemi aty ku duhet. Duhet që të mos ndalojmë, duhet të kthejmë Kukësin aty ku e ka vendin".
Më tej ai tregon se çdo kundërshtar motivohet më tepër kundër Kukësit, pasi e dinë forcën e verilindorëve. "Çdo ekip që luan kundër nesh motivohet shumë. Edhe ata stërviten, por motivohen më tepër. Ne po stërvitemi dhe do të japim maksimumin. Nuk e dimë sesi është gjendja te Laçi, por duam fitoren".
Për bashkëpunimin me Pejiçin në sulm, Emini shprehet i bindur se Kukësi këtë vit do të ketë sukses. "Me një kalibër si Pero Pejiç ndjehesh më komod. I shënon më lehtë golat pranë tij. Normalisht me trajnerin kemi marrëdhënie shumë të mira. E bëjmë punën si profesionistë. Titulli kampion dhe Kupa janë dy fronte të ndryshme, por ne kemi kualitetet për të dalë fitimtarë. Mendoj se do t'ia arrimë qëllimit".