
Gianni de Biasi ka folur për humbjen e Kombëtares kundër Izraelit me rezultatin 2-1. Ish-trajneri i përfaqësueses kuqezi ka treguar se si e pa sfidën e Shqipërisë kundër izraelitëve.
Ai ka theksuar se në pjesën e dytë, kombëtarja jonë e rriti cilësinë, veçanërisht me golin e shënuar nga Myrto Uzuni. Në një lidhje të drejtëpërdrejtë me Euronews, italiani ka thënë:
“E pashë ndeshjen me Izraelin, në fillim kombëtarja nuk i shprehu cilësitë, kishte shumë presion. Ndeshja nuk nisi mirë, pjesa e dytë skuadra e rriti nivelin, sidomos me golin e Uzunit. Mendova do mbyllej në barazim, por gabimi individual u mohoi pikët. Në futboll nuk mund të hidhen hipoteza, pasi çdo ndeshje ka aspekte të ndryshme.
Reja bëri gjithçka brenda kapaciteteve, është person serioz, por nuk mori rezultatin që kërkonte. Shqipëria mbetet skuadër me vlerë, me lojtarë me eksperiencë të cilët luajnë në kampionatet e mëdha evropiane.
EURO 2016? Kur arritëm të shkonim në Evropian ishte diçka e jashtëzakonshme, nuk besonim se do ia dilnim. Por kur mblidhen të gjithë ia del. Kur vendoset interesi i të gjithëve mbi ato personale gjithçka arrihet. Unë besoj se Edi Reja ka kaluar beteja të shumta me suksese e dështime. Tek e fundit unë jam nga ana e trajnerit që besoj se ka eksperiencën për të dhënë një dorë në situate të tilla”, ka thënë ai.