Kylian Mbappe me golin ndaj Nantes në fitoren 4-2 u bë golashënuesi më i mirë në historinë e PSG-së. Sulmuesi francez kaloi kështu Edison Cavanin, i cili kishte 200 gola më fanelën e parizienëve, teksa tashmë 24-vjeçari udhëheq me 201.
Pas arritjes së këtij suksese, Mbappe do të theksonte se e ka shijuar çdo moment te PSG dhe se ai është një parizien dhe kjo është diçka e veçantë për të.
“Unë jam këtu për të shkruar historinë, por ajo që më intereson më shumë janë objektivat e ekipit. E kam shijuar çdo moment këtu. Jam përmirësuar si futbollist. Kam ndryshuar shumë, shumë…
Erdha te PSG si një lojtar i ri. Isha i talentuar, por ende shumë i ri. Kam mësuar shumë këtu edhe në aspektin njerëzor. Unë jam parizien, është diçka e veçantë të luaj për PSG-në”, deklaroi sulmuesi.