Eintracht Frankfurt fitoi dje kundër Rangers për të ngritur pas 42 vitesh një trofe europian dhe konkretisht Europa League. Pas 120 minutave lojë të mbyllura 1-1, skuadrave iu desh të paraqiteshin te “ruleta” e penalltive, aty ku gabimi i Ramsey dhe pritja e Trapp i dhanë gjermanëve trofeun.
Skuadra nga Frankfurt s’është e panjohur për shqiptarët, pasi më herët në këtë ekip kanë luajtur disa lojtarë të Kombëtares. Dy vlonjatët, Ervin Skela dhe Geri Çipi kanë mbajtur veshur fanellat e shqiponjave, ndërsa edhe Mehmet Dragusha, mesfushori nga Prishtina ka qenë pjesë e Frankfurt.

Dragusha në 11 ndeshje me Kombëtaren shqiptare ka shënuar edhe një gol. Edi Martini gjithashtu në 1997 ka qenë pjesë e gjermanëve. Nga Bundesliga 2 deri në suksesin e Europa League, investimi dhe pritja kanë qenë të mëdha për Eintracht, që e ka të ligjshme festën. Aktualisht vetëm portieri Diant Ramaj, lojtari nga Kosova dhe pjesë e U20 së Gjermanisë bën pjesë te Frankfurt nga emrat me origjinë shqiptare.

