Trajneri i Kastriotit, Ramadan Ndreu është shfaqur në fushën e stadiumit të Kamzës aty ku sot skuadra e tij do luajë me kryesuesit e Teutës për javën e 33 të Superligës. Ndreu u dënua me 5 ndeshje pezullim dy ditë më parë, për dhunën në sfidën mes Tiranës dhe Kastriotit.
Nuk dihet nëse trajneri do qëndrojë në stadium, teksa në vendimin e Disiplinës thuhet qartë se ai nuk mund të qëndrojë në ambientet e stadiumit. Vendimi duket drastik pasi trajneri mund të qëndronte në tribunë për të drejtuar të tijtë, ndërsa FSHF mund të ketë riparë dënimin.
"4. Zyrtari i KS Kastrioti, Ramadan Ndreu, për sjellje josportive ndaj kundërshtarëve, në bazë të nenit 47/2/a të KDS, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të nenit 20 të KDS, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet, në aktivitetet sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundim të dënimit.", thuhet në dënimin e Disiplinës.