Fitorja me Çekinë lumturoi çdo shqiptar anembanë botës. Kombëtarja shqiptare mposhti me rezultatin bindës 3-0 rivalët çek duke bërë që kualifikimi në Euro 2024 të jetë thjeshtë çështje kohe. Megjithatë, ajo ndeshje pati edhe pasojat e saj teksa u dëmtuan 2 lojtarë.
Mirlind Daku dhe Nedim Bajrami shfaqën shqetësime me sulmuesin që ka pësuar një tërheqje në kofshë dhe mungon ndaj Bullgarisë. Në rrezik është edhe fantazisti i Sassuolos i cili u largua duke çaluar nga fusha e lojës dhe mbetet të shihet nëse do të jetë i gatshëm. Nëse shtojmë edhe dëmtimet e Armando Brojës dhe Keidi Bares, atëherë do të jenë plot 4 mungesa për ekipin.
Në një test miqësor, i pari për Sylvinhon, sigurisht që ai do të dëshironte të provonte sa më shumë lojtarë dhe sipas gjasave pritet të bashkohen Arbnor Muçolli dhe Marvin Çuni. Megjithatë, një mesazh nga Azerbajxhani vjen për brazilianin.
Redon Xhixha ka lënë pas dëmtimin dhe e nisi aty ku e la, duke shënuar gola për Qarabag. ‘Topi i Artë’ i Superiores që shkëlqeu me Tiranën, ka shënuar plot 6 gola deri tani edhe pse mbeti 1 muaj jashtë për shkak dëmtimi.
Ditën e djeshme ai ka postuar një foto në Instagram nga stërvitja me azerët duke pozuar me simbolin e shqiponjës dykrenare. Sulmuesi 25-vjeçar është nën vëzhgimin e stafit të Sylvinhos dhe nuk do të ishte aspak çudi nëse do të thirrej për miqësoren e 17 tetorit.