
Zabit Mehmedaj, ish-futbollist i ekipit të Vllaznisë dhe Shkodër dhe Seadet Myftia, ish-futbollist i ekipit të Tërbunit të Pukës janë dy personat që janë shpallur në kërkim nga Policia si autorë të dyshuar të vendosjes së tritolit në garazhin e biznesmenit Agim Uraj.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk ka pasur persona të lënduar, por vetëm dëme materiale dhe panik te banorët e lagjes “10 Korriku”. Biznesmeni Uraj ka mohuar para hetuesve të kishte konflikte dhe gjithashtu në qytetin e Shkodrës njihet si një person pa probleme.
Nga këqyrja e provave në vendngjarje dhe kamerave në aksin rrugor përmes të cilit dyshohet se mund të ishin larguar autorët, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, si dhe identifikimi i dy ish-futbollistëve, shkruan newsbomb.al.
Nga veprimet hetimore të thelluara dyshohet se Seadet Myftia dhe Zabit Mehmedaj janë larguar nga vendi i ngjarjes me një motomjet të vjedhur në qytetin e Shkodrës, pak para ngjarjes. Ata rezultojnë se kanë qenë të shpallur në kërkim edhe më parë, për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në këtë qytet.
Paraprakisht, dyshohet se shkak për vendosjen e tritolit është bërë një sherr i ndodhur dy javë më parë në Shkodër, ku një 64 vjeçar është dhunuar me sende të forta nga tre të rinjtë Zabit Mehmedaj, Seadet Myftia dhe 31 vjeçari me inicialet D.T. Personi i dhunuar rezulton se është i afër i biznesmenit Agim Uraj.