
Sot, Skënderbeu luajti kundër Tiranës, ndeshje që e fitoi mes kontestimesh me rezultatin 1-0 për shkak të vendimeve të dhëna nga kryesori Eldorian Hamiti. Ky i fundit ishte protagonist me një 11-metërsh të paqenë në favor të Skënderbeut, por dhe me një penallti të padhënë në favor të Tiranës.
"Gabimet nuk mund të jenë njerëzore kur situata janë kaq të dukshme", u tha nëpër studiot sportive, ku faji kryesor për humbjen e bardhebluve ishte pikërisht gjyqtari Hamiti. Newsport.al bëri një hulumtim të shpejtë të ndeshjeve që ka gjykuar Hamiti dhe u vu re që ai ka qenë gjithmonë arbitër kryesor në fitoret e Skënderbeut. E çuditshme, por e vërtetë. Në tre ndeshje që kampionët janë gjykuar nga ai, kanë arritur të fitojnë me rezultat minimal.
Ndoshta vendimet e tij kanë qenë gabime njerëzore, por pikërisht këto vendime të gabuara mund të zbresin skuadrën më të titulluar në Shqipëri në Kategorinë e Parë, pra Tiranën.
[gallery columns="1" size="full" ids="110453"]