
Ky sezon që vjen i Kategorisë së Parë duket se do të jetë një rivalitet mes Flamurtarit dhe Elbasanit. Vlonjatët ishin pretendent kryesor për t’u ngjitur në Superiore por humbën garën përballë Dinamos dhe Skënderbeut. Këtë edicion këto dy ekipe nuk do të jenë dhe të gjithë prisnin t’i hapej rruga kuqezive.
Por, si duket do të jetë ndryshe. Elbasani, që erdhi nga Kategoria e Dytë, ka zhvilluar një merkato bombë deri tani. Emra të Superiores si Greca, Karakaçi, Hasani flasin vetë me drejtuesit që nuk kanë ndërmend të ndalen me kaq deri sa të rikthehen në elitën e futbollit shqiptar.
Së fundmi, shtypi i shkruar raporton se verdheblutë kanë arritur akordin me Bruno Telushin dhe Ardit Hoxhajn. Dy lojtarët ishin shumë pranë rikthimit te Flamurtari, klubi ku dolën si lojtarë, por një takim i fundit duket se i ka kthyer mendjen.