Ballkani tashmë nuk është më një rastësi. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja për të dytin vit radhas po shkruan historinë në kompeticionet europiane. Mbrëmjen e djeshme fituan 2-0 ndaj Ludogorets në “Fadil Vokrri”, një kundërshtarë me historin në Champions, por ekipi nga Suhareka nuk pyet për rivalët.
Një sukses i jashtëzakonshëm dhe tashmë e shikojnë vetëm me një “këmbë” në turin tjetër. Një nga protagonistët e kësaj sfide padiksutim ishte edhe Lorenc Trashi. Ish-lojtari i Partizanit pas ndeshjes ka theksuar se:
“Kur kam ardhur në janar kam pasur vështirësitë e mia. Kam ardhur me shumë dëshirë duke e ndjekur ekipin në Ligën e Konferencës. Fillimi ishte shumë i vështirë, pasi jam aktivizuar në vetëm dhjetë ndeshjet e fundit, por ia kam dalë mirë dhe shpresoj të vazhdoj kështu. Kur kam ardhur kam folur me presidentin dhe objektivat e tij nuk ishin vetëm kampionati. Kam ardhur me synime të qarta, që të kemi paraqitje dinjitoze edhe në Europë. Dua t’i falënderoj të gjithë. Sonte kemi bërë punë të mirë, ndonëse kemi pasur përballë një ekip shumë të forte.
Mendimi im është që Kosova duhet të ndryshojë mentalitetin se si përfaqësohemi në garat evropiane. Nuk duhet të shkojmë si inferiorë. Hapat janë shumë të mirë dhe shpresoj që jo vetëm Ballkani, por edhe ekipet tjera të paraqiten mirë. Ludogoretsi ka shkuar në grupet në Champions. Është ekip i madh dhe na vuri në vështirësi në fund. Për ndeshjen e kthimit nuk duhet të kemi eufori”.