Apolonia e Fierit nuk arriti të përmbushte objektivin e vetëm sezonal, daljen në Superiore. Skuadra e drejtuar nga Artan Mërgjyshi bëri një vit të mirë, sidomos në fazën e dytë të kampionatit të shkuar, por që në fazën e tretë çdo gjë mori tatëpjetën duke humbur terren me dyshen Pogradeci – Luftëtari, që luaftuan për kreun deri në javën e fundit.
[caption id="attachment_670" align="alignleft" width="300"] Artan Mërgjyshi dhe Elidon Demiraj duke drejtuar Apoloninë në stërvitje[/caption]
Megjithatë, edhe sezoni i ardhshëm do të jetë sërish një luftë e fortë për fierakët që duan të ngjiten në Superiore. Por, askush nuk di ende sesi do të jetë platforma vepruese për klubin myzeqar, i cili në përbërje të tij ka lojtarë të rinj me potencial.
Por, mësohet se këtë javë do të ketë një takim “kokë më kokë” mes kreut të bashkisë së Fierit, Armando Subashi dhe krerëve të klubit, ku do të sqarohet situata dhe do të vendosen piketat e sezonit të ri. Çështja më e nxehtë është përcaktimi i trajnerit, ku Artan Mërgjyshi qëndronë sërish në “pole” për të rimarrë drejtimin e skuadrës pas përfundimit të kontratës, ndërsa nuk mbetet pas dhe Elidon Demiraj.
Sa iu përket lojtarëve, të gjithë janë në kontratë, madje ka rinovuar dhe serbi Marko Rajkoviç, i cili luan në sulm dhe shënoi 12 gola këtë sezon që u mbyll. Rajkoviç do të jetë dhe për sezonin e ri në këtë ekip, ndërsa nuk dihet situata për më të mëdhenjtë në moshë, të cilët mund t’i kapë dhe “fshesa”.