
Dështimi për të marrë një medalje nga Shqipëria në Lojërat Olimpike të Tokios, është komentuar nga ish kreu i KOKSH, Viron Bezhani. Në një bisedë për Syri TV, Bezhani ka akuzuar se kryeministri Rama dhe kreu i Bashkisë Tiranë, Veliaj, kanë përvetësuar skuadrën Olimpike. Sipas Bezhanit, zgjedhja e Fidel Yllit në krye të KOKSH ka ardhur pas blerjes së votave.
"Presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli, ka dashur të bëjë qoka me përfaqësimin e Shqipërisë në Olimpiadë. Ai nuk i ka vënë rëndësi fare rezultatit, por njerëzve të cilët e kanë ndihmuar për t'u bërë president i KOKSH-it. Rezultati i Brikenit (Caljes) ishte i mirë, por me një kujdes më të madh do të kishim një rezultat edhe më të mirë.
Të pretendosh për medalje dhe të mos kesh interesimin e duhur, kjo nuk është normale. Sportisti nuk ka nevojë për t'i rënë shpatullave, por për kushte. Sportisti që shkon në një aktivitet të tillë, duhet të ketë trajnerin me vete, patjetër.
Erion Veliaj dhe Edi Rama, kanë përvetësuar skuadrat olimpike, kryeministrit nuk i takon të japë flamurin, është kompetencë e Presidentit. Fjalimi i Ramës për Fidel Yllin është i turpshëm, jo si fjalim kryeministri. Fidel Ylli ka blerë votat me paratë e shtetit për t'u bërë president i KOKSH-it", tha ish-presidenti i KOKSH, Bezhani.