Lojtari i Dinamos U15, Luis Meçja, shoku 14 vjeçar i Martin Canit, ka dalë këtë të premte nga spitali. Ai do të kthehet në shtëpinë e tij pas 11 ditësh nga sherri tragjik, ku mbeti i vrarë shoku i tij, kurse vetë ai u plagos bashkë me autorin e arrestuar, Mario Perlleshaj.
Luis Meçja rezulton se ka qenë me shokun e tij Martin Cani dhe disa persona të tjerë, gjatë sherrit që ndodhi mesditën e 18 Nëntorit, kurse autori Mario Perlleshaj ka qenë i shoqëruar nga një person tjetër, por që sipas autoriteteve shtetërore nuk është i përfshirë në konflikt.
Zëvendës drejtori i Krimeve në Tiranë, Erion Ismaili ka treguar mbrëmjen e djeshme se gjatë sherrit që ndodhi javën e kaluar në shkollën 9 vjeçare "Fan Noli" në Tiranë, janë konstatuar 9 nxënës, gjashtë kanë qenë shokë të Martinit dhe një i autorit, Marios.
Sipas tij, i gjithë momenti i goditjes së Martin Canit zgjat jo më shumë se 10 sekonda.
Mbrëmjen e djeshme, Luisi ka folur për herë të parë nga shtrati i spitalit për emisionin "Top Story", por nuk dha më shumë detaje se ato që dihen publikisht. 14 vjeçari i tha gazetarit se nga vendi i ngjarjes e ka larguar kushëriri i tij, deri te 9 katëshet, por pastaj nuk mbante mend më asgjë.
"Marion nuk e njihja si person. Isha thjesht me Martinin (ditën e ngjarjes). Mua më ndihmoi kushëriri, Marseldi. Ka qenë te 9 katëshet dhe nuk aty nuk mbaj mend asgjë sepse isha në gjendje të fikti", u shpreh Luis Meçja.
Ndërkohë, zëvendës shefi i Krimeve në Policinë e Tiranës, Erion Ismaili është shprehur se Marseldi është kushëriri i Luis Meçaj dhe ai ka qenë i përfshirë në konflikt. Sipas tij, edhe ky nxënës është marrë në pyetje dhe është ripyetur, por ka deklaruar se në vendngjarje ka pasur vetëm një thikë.
Kjo, në përgjigje të reagimeve dhe pretendimeve për një autor të dytë me thikë në sherrin te shkolla "Fan Noli".