Pritet të zhvillohet ditën e sotme në 12:30 seanca e radhës për dosjen “Partizani” me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi e të tjerë.
Pasi pranoi kërkesën e SPAK për thirrjen në gjyq të 11 dëshmitarëve, mësohet se në seancën e sotme do të dëshmojnë 8 prej tyre, nga deputeti socialist Taulant Balla, në cilësinë e kallëzuesit të çështjes e deri te Petrit Kullolli me profesion topograf në AKKP Tiranë.
Në listën e dëshmitarëve që pritet të flasin sot në GJKKO, renditen drejtues të rëndësishëm të ish-klubit të futbollit “Partizani” dhe persona të njohur.
Konkretisht bëhet fjalë për ish-presidentët e Partizanit, Albert Xhani dhe Paro Laçi dhe ish drejtorët Bujar Labinoti, Afrim Tole, Isa Tare.
Sakaq mësohet se në dosjen e SPAK shkruhet se ish-drejtori i viteve 1995-2005, Isa Tare ka dëshmuar se atij iu premtua një apartament që të mos kundërshtonte privatizimin. Nga ana tjetër dhe ish-presidenti Paro Laçi ka thënë se i është ofruar një pazar nga njerëzit e Berishës për të liruar ambientet e klubit.
Ndërsa Afrim Tole, drejtor i Klubit Shumësportesh Partizani, në vitet 2006-2008 ka bërë para hetuesve të SPAK një pasqyrë të të gjitha pronave që “de facto” dhe “de jure” posedonte klubi.
Në listë përfshihen dhe emrat e Dhurana Çela dhe Petrit Kullolli.
Dëshmitarët e SPAK në seancën e sotme:
Taulant Balla Kallëzuesi i aferës Partizani
Afrim Tole Ish-shefi i Klubit Partizani
Isa Tare Ish-drejtori i kompleksit
Bujar Labinoti Ish-drejtori i kompleksit
Albert Xhani Ish-presidenti i Partizanit
Paro Laçi Ish-presidenti i Partizanit
Dhurata Çela Ish-drejtoreshë e AKKP Tiranë
Petrit Kullolli Topograf në AKKP Tiranë
