Milani do të luajë mbrëmjen e nesërme përballë Rennes ndeshjen e vlefshme për fazën e 1/16-ve të Europa League. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “San Siro” do të startojë në orën 21:00. Teksa një ditë para sfidës ndaj francezëve, ka folur trajneri i Milanit, Stefano Pioli.
Pavarësisht se është i zhgënjyer nga eliminimi në Champions League, Pioli beson se skuadra e tij do të bëjë mirë në Europa League. Tekniku italian tregohet i sinqertë duke thënë se favoritët janë Bayer Leverkusen dhe Liverpool, por shprehet qartë se Milani e dëshiron këtë trofe.
“Sigurisht që të bësh mirë në këtë kompeticion është një motiv shtesë. Ne donim Champions League dhe jemi të zhgënjyer nga eliminimi. Por Europa League është një mini Champions League. Milani nuk e ka fituar kurrë këtë trofe edhe është shumë i motivuar për ta bërë. Rennes është një ekip i mirë dhe kjo e tregon ecuria e tyre pasi kanë 8 fitore radhazi. Ne duhet të përqendrohemi për të përballuer sfidën e nesërme.
Ndeshjet duhet t’i marrim një nga një. Kundër Rennes kemi dy të tilla pasi kemi dhe të kthimit dhe më pas do të ecim përpara. Kemi ambicie të arrijmë deri në fund, Milani e dëshiron këtë trofe. Favoritë janë Bayer Leverkusen që kryeson Bundesligën dhe Liverpool që është në vendin e parë në Angli, por ne kemi ambicie”, është shprehur trajneri i Milanit.