Erzeni nisi një sezon të ri me plot vuajtje, aq vështirë sa u diskutua seriozisht zbritja nga kategoria. Shijakasit patën disa probleme të brendshme në kryesinë e klubit duke rrezikuar të mos ndërtonin në kohë skuadrën për sezonin e ri.
Mirëpo, në Shijak kjo nuk është hera e parë teksa edhe vjet ndodhi e njëjta situatë. Ekipi u ndërtua në kohë rekord brenda 10 ditëve dhe kur askush nuk priste gjë prej tyre, Erzeni surprizoi të gjithë me rezultate befasuese falë zbulimeve në merkato si Mehmeti, Nonato, Kahrimanovic, Kadriu e me rradhë, duke marrë edhe nofkën ‘Hirushja e Superiores’.
Ky vit nis me të njëjtat rrethana, aq sa duket sikur kanë nisur xhirimet për filmin e rradhës së Hirushes. Erzeni arriti të ndërtojë skuadrën 2 javë para nisjes së sezonit dhe deri tani ka marrë rezultate mjaft të kënaqshme. 8 pikë nga 15 të mundshme nuk është aspak keq me shijaksit që renditen komod në vendin e 5-të, por me pikë të barabarta me Partizanin e Vllazninë në 2 vendet e përparme dhe 2 më pak se Tirana e Egnatia në krye.