Klodeta Zhivani ishte volejbolliste prej 10 vitesh në klubin e Vllaznisë dhe kapitene gjithashtu. Largimi i saj nga klubi erdhi në një mënyrë aspak normale, për më tepër një skandal në sportin shqiptar.
Drejtuesit e klubit urdhëruan lojtaren të paraqitej në stërvitje pavarësisht dëmtimit prej të cilit ajo vuante. Edhe mjekët ia ndaluan pjesëmarrjen në aktivitetet fizike por për “ekspertët” e klubit të Vllaznisë nuk mjafton. Në kthimin e saj në stërvitje, Klodeta merr lajmin se i është hequr shiriti i kapitenes dhe më pas u largua nga klubi.
Në një intervistë ekskluzive për Newsport, Klodeta flet për situatën në fjalë.
Klodeta, fillimisht si jeni?
-Përshëndetje dhe faleminderit për intervistën. Për momentin jam në gjendje të mirë shëndetësore pas një dëmtimi në muajin gusht.
Nëse para disa javësh ishit kapitene e Vllaznisë, sot jeni, le ta quajmë pa punë. Pse kjo zgjedhje nga drejtuesit?
-Në fakt, as unë personalisht nuk arrij ta konceptoj largimin e një lojtareje që ka 10 vite që derdh djersë për fanellën kuq e blu.
A ndiheni e tradhëtuar edhe nga trajneri për këtë moment delikat të profesionit tuaj?
-Trajneri i parë është një emër i nderuar i volejbollit shkodran dhe shqiptar por nuk jam e informuar sa ndikim ka pasur te presidenca për heqjen e shiritit dhe largimin përfundimtar.
Na trego saktësisht çfarë ka ndodhur, për të shuar çdo spekulim apo thashethem...
-Në fillimin e muajit gusht pësova një tërheqje muskulare të rëndë ku detyrohem të qëndroj 1 muaj pushim. Pas rikthimit nga rikuperimi, ku askush nuk u mundua të bënte qoftë edhe një telefonatë, më hiqet shiriti i kapitenes me motiv “Mosparaqitje në Seancat Stërvitore”. Pas kësaj kërkohet firmosja e një kontrate apo akt-marrëveshje të kushtëzuar me afat 2-vjeçar në një kohë që vetë shoqatës, i skadon kontrata me bashkinë Shkodër brenda 1 viti.
Çfarë mendove në ato momente kur u njohe me vendimin e drejtuesve për t’u larguar nga Vllaznia?
-Jam ndjerë e surprizuar për atë vendim dhe njëkohësisht e zhvlerësuar për të gjitha ato që kam dhënë dhe mund të jepja për ekipin e zemrës.
Për të mos folur për mungesën e respektit, sa mendon se do t’i mungojë Klodeta Vllaznisë?
-Besoj se do t’i mungoj po aq sa volejbollistet e tjera shkodrane të cilat janë larguar por që nuk kanë pranuar të rikthehen te Vllaznia përgjatë këtyre 2 viteve të fundit.
Po Vllaznia Klodetës?
-Pas 10 vitesh intensive normal që Vllaznia do i mungojë Klodetës sepse është njësoj sikur të përzënë nga shtëpia kur je rritur dhe ke kaluar vitet më të bukura.
Kontributi 10-vjeçar është i shkruar me të arta te Vllaznia dhe në volejbollin shqiptar. Ku do t’iu shohim në të ardhmen?
-E ardhmja sigurisht që ka të bëjë me volejbollin dhe me kontributin për angazhimin e fëmijëve dhe të rinjve në këtë sport kaq të bukur dhe të dashur.
Një mesazh për drejtuesit që zgjodhën këtë rrugë të (pa)arsyeshme për ndërprerjen e bashkëpunimit?
-Vajzave dhe profesor Lishës ju uroj suksese dhe një sezon të mbarë.