
Shqipëria do të luajë nesër kundër Islandës, ndeshjen e fundi të vlefshme për Ligën e Kombeve. Kjo sfidë do të zhvillohet në stadiumin "Air Albania", ndërsa interesi është i madh për të mësuar se si do të rreshtohet përfaqësuesja kuqezi. Gjasat janë që trajneri Edi Reja të rikthehet te skema tradicionale 3-5-2.
Por, befasia do të jetë Armando Broja. Një nga lojtarët më të përmendur në radhët e kuqezinjve mund ta nisë nga stoli. Në fakt një gjë të tillë, Reja e paralajmëroi mes rreshtave në konferencën për shtyp pas humbjes 2-1 me Izraelin.
"E futa Armando Brojën nga minuta e parë që të fitojë eksperiencë dhe të mësojë. Por, siç e patë i duhet ende kohë. Është i ri", tha Reja duke nënkuptuar në një farë mënyre se shtatlarti i fazës ofensive mund t'i nisë sfidat e ardhshme sikurse te Chelsea, nga stoli. Por, a e ka luksin e londinezëve Shqipëria? Koha do ta tregojë.