
E jashtëzakonshme, kombëtarja shqiptare U18 në basketboll për meshkuj ka arritur në finalen e Europianit. Djemtë e drejtuar nga trajneri Besim Dervishaj, i cili është edhe zv.trajner i Teutës, dhe zv.trajneri Osvalt Turmalaj fituan bindshëm në gjysmëfinale me rezultatin 76-56 Azerbaxhanin, të cilët ishin renditur në vendin e parë në grupin B.
Pas këtij suksesi të arritur në San Marino, Kombëtarja U18 arrin në finale ku do të kërkojë medaljen e arit ndaj Monaco. Lojtarët më të spikatur ishin: Andrija Reçi me 19 pikë dhe 13 topa në tabelë, Enzo Zotaj me 30 pikë dhe Aleksis Nika me 7 asistime. Nesër, në 31 korrik, Shqipëria U18 meshkuj do të ndeshet në orën 20:00 me ekipin e Monaco për medaljen e arit në Kampionatin Europian U18 meshkuj Divizioni C 2022.