Lëvizjet te Vllaznia janë të paparashikueshme duke filluar nga lojtarët deri te stafi teknik e drejtuesit e lartë. Skuadra po i nënshtrohet një revolucioni madhor ndërsa lëvizjet kanë qenë të shumta edhe tek eprorët.
I pari ishte Elvis Plori, i cili erdhi si ndihmës-trajner i Thomas Brdaric, e më pas mbuloi detyrën e trajnerit të parë, trajnerit të U-21 e së fundmi, drejtori sportiv i klubit. Një rrugë të ngjashme ka përshkuar edhe Vioresin Sinani.
Legjenda e klubit shkodran ka provuar të jetë ndihmës-trajner dhe në sezonin e fundit e mbylli si drejtor sportiv. Tanimë pozita e tij në klub mbetet enigmë. Presidenti Alban Xhaferi në një prononcim të shkurtër për mediat sqaroi se ai do të mbetet ende pjesë e familjes dhe i është propozuar posti i trajnerit të ekipit U-17.
“Sinani është pjesë e Vllaznisë dhe do të shohim mundësinë brenda strukturës së klubit. Ndoshta një mundësi është te paratërinjtë. Ne thjesht kemi bërë ndryshime brenda familjes, asgjë më tepër”, deklaroi Xhaferi.