Trajneri i Southampton, Ralph Hassenhuttl ka folur për të ardhmen e Armando Brojës. Austriaku e preferon sulmuesin e Kombëtares kuqezi, ndërsa Broja është i huazuar nga Chelsea për një sezon.
Për mediet, trajneri ka treguar se ata e dëshirojnë lojtarin për më gjatë, duke parë formën dhe mënyrën e shpejtë si ai mëson. Do jetë vera ajo që do vendosë “pikat mbi i”, me pronarët e rinj të Shenjtorëve që e dëshirojnë në ekip Brojën edhe për sezonin që vjen. 7 gola, 5 nga të cilët në Premier League e kanë kthyer djaloshin në të preferuarin e tifozëve.
“Atij i pëlqen këtu, i pëlqen të jetë me ne. Kemi një ekip të ri. Këto janë të gjitha arsyet pse ai ka zhvilluar lojën e tij dhe pse ai po përmirësohet. Në fund, ne duhet të marrim vendimin e duhur për djaloshin.
Kur qëndrimi i tij (Brojës) është një fitore për të gjithë, atëherë do të kemi vendimin e duhur për verën. Për sa kohë që ai është lojtari ynë, ne shpresojmë se do të argëtohemi shumë me të dhe do të përpiqemi ta bëjmë atë më të mirë në fushë. Pronarët janë padyshim të etur për bërë gjëra të mëdha.
Atmosfera në këtë klub është e fokusuar, pozitive dhe në fund, po, plot pasion dhe të gatshëm për të bërë hapin tjetër. Mezi presim të tregojmë veten dhe sa të mirë jemi në këto ndeshje, super duele të vështira do vijnë”, tha Hassenhuttl.